Kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, një ditë pas publikimit të progres-raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Gjatë fjalës së tij, Rama e cilësoi raportin si më të mirin që Shqipëria ka marrë ndonjëherë, duke theksuar se vendi ka hyrë në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në BE.
Sipas kryeministrit, progres-raporti evidenton një rritje të dukshme të nivelit të gatishmërisë së Shqipërisë në të paktën 20 kapituj negociatash, ndërsa nënvizon përparimin në ekonomi, transformimin digjital, energji, arsim dhe përafrimin e legjislacionit me standardet evropiane.
“Fati evropian i Shqipërisë është sot i gjithi në duart tona. Ky është lajmi kryesor i raportit. Shqipëria futet në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim në BE”, u shpreh Rama.










