Bllokimi i rrugëve gjatë protestës, policia vendos 36 gjoba nga 5 mijë lekë

Policia e Tiranës ka vendosur 36 masa administrative, me nga 5 mijë lekë secila, ndaj personave që morën pjesë në protestën e djeshme dhe bllokuan qarkullimin e automjeteve në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.

Sipas policisë, bllokimet u konstatuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugën e Durrësit. Pjesëmarrësit në tubim nuk iu bindën thirrjeve të përsëritura të efektivëve, të bëra përmes megafonit, për lirimin e rrugëve dhe rikthimin e qarkullimit.

Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se masat janë marrë në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28 tetor 2026, dhe pikës 2 të nenit 24/1, ku janë plotësuar 36 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative.

Në total, vlera e gjobave të vendosura arrin në 180 mijë lekë.