Çarje në PD-në e Fierit para zgjedhjeve të 7 nëntorit, akuza për manipulim të listave dhe paracaktim të kryetarit të ri

Një përplasje e fortë brenda Partisë Demokratike në Fier është bërë publike pak ditë para zgjedhjeve për kryetarin e degës, të planifikuara për 7 nëntor. Ish-kryetari i PD-së Fier, Rrapi Gjika, ka ngritur akuza për manipulim të listave të anëtarësisë, përjashtim të drejtuesve të zgjedhur nga Kuvendi i Rithemelimit dhe paracaktim të fituesit të garës.

Në një reagim publik, Gjika shprehet se zgjedhjet në degën e Fierit nuk u zhvilluan në afatin e parashikuar nga statuti, ndryshe nga degët e tjera të vendit, ndërsa shtyrja nuk u shoqërua me një shpjegim publik.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe u ngrit një grup pune, pjesëtarët e të cilit, pretendon Gjika, nuk kishin qenë aktivë gjatë viteve të opozitës dhe disa prej tyre kishin garuar kundër procesit të Rithemelimit në vitin 2023.

Ish-kryetari i PD-së Fier pretendon se grupi i punës është marrë me manipulimin e listave të anëtarësisë, duke hequr nga ato demokratë aktivë, kryesisht mbështetës të Rithemelimit, dhe duke shtuar familjarë me qëllim ndikimin në votimin e 7 nëntorit.

Në reagimin e tij, Gjika ngre pikëpyetje edhe mbi transparencën e procesit, duke kërkuar të dihet nëse ekziston një listë përfundimtare e anëtarësisë, kush e ka hartuar atë dhe cilët kandidatë kanë akses në këtë dokument.

Ai pretendon gjithashtu se gjatë periudhës së shtyrjes nuk janë zhvilluar takime me seksionet dhe grupseksionet, megjithëse kjo ishte një nga arsyet e dhëna për shtyrjen e zgjedhjeve.

Një tjetër akuzë e Rrapi Gjikës lidhet me largimin nga strukturat e degës të disa prej drejtuesve të saj. Në reagim thuhet se është shkarkuar vetë Gjika nga posti i kryetarit të degës, pa iu komunikuar asnjë arsye dhe pa u njoftuar strukturat. Ai pretendon se është përjashtuar nga çdo proces për shkak të qëndrimit të tij si mbështetës i Rithemelimit.

Gjika përmend gjithashtu shkarkimin e sekretarit të degës, inxhinierit Emiliano Mone, sekretarit organizativ Ervin Feleqi dhe nënkryetarëve Ramize Mernica e Gentian Varfi.

Po ashtu, ai rendit dhjetëra emra të drejtuesve të grupseksioneve dhe seksioneve, të cilët pretendon se janë përjashtuar nga grupi i punës, pavarësisht kontributit të tyre ndër vite në strukturat e PD-së në Fier.

Në përfundim, ish-kryetari i PD-së Fier e cilëson procesin një farsë zgjedhore, duke akuzuar drejtues të partisë në qendër se po ndërhyjnë në organizimin e degës për të imponuar një kryetar të paracaktuar.

Gjika e mbyll reagimin me kritika të ashpra ndaj drejtimit të partisë, duke e konsideruar këtë proces një goditje për demokratët që, sipas tij, kanë kontribuar prej 13 vitesh në opozitë.