Protesta studentore do të vijojë edhe këtë fundjavë. Studentët kanë njoftuar se këtë të shtunë do të mblidhen në orën 12:00 përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa në mbështetje të tyre pritet të jenë edhe pedagogët, të cilët prej disa ditësh kanë bojkotuar procesin mësimor.
Studentët dhe pedagogët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa protesta pritet të zhvendoset më pas përpara Kryeministrisë.
Po në orën 12:00, protestë kombëtare ka njoftuar edhe Partia Demokratike. Kreu i kësaj force politike, Sali Berisha, u bëri thirrje të premten anëtarëve, mbështetësve të partisë dhe qytetarëve nga mbarë vendi që t’i bashkohen protestës, në mbështetje të lëvizjes studentore.
Berisha vlerësoi qëndresën e studentëve dhe të rinjve që prej disa ditësh protestojnë në rrugët e Tiranës, duke e cilësuar lëvizjen e tyre si dëshmi të guximit qytetar.
Studentët kanë njoftuar se në orën 14:00 do të vijojnë protestën përpara Kryeministrisë.
Ende nuk dihet se sa do të zgjasë protesta dhe nëse do të ketë përplasje me policinë. Në protestat e mëparshme janë regjistruar incidente dhe konfrontime mes protestuesve dhe forcave të rendit.










