201 efektivë policie të plagosur gjatë protestave në Tiranë, identifikohen 52 persona të dyshuar për dhunë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka bërë bilancin e protestave të zhvilluara gjatë dy javëve të fundit në Tiranë. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, Hita bëri të ditur se 201 punonjës policie kanë mbetur të plagosur gjatë përplasjeve dhe akteve të dhunës.

Sipas tij, nga këqyrja dhe analizimi i pamjeve filmike janë identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në akte dhune ndaj policisë, institucioneve shtetërore dhe pronës publike e private.

Hita deklaroi se materialet procedurale në ngarkim të tyre i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në incidente.

Kreu i Policisë së Shtetit u bëri thirrje prindërve të tregojnë kujdes për fëmijët e tyre dhe qytetarëve të distancohen nga aktet e dhunës.

Ai theksoi se Policia do të garantojë të drejtën kushtetuese për protestë paqësore, por do të reagojë ndaj çdo veprimi të dhunshëm, në përputhje me ligjin dhe parimin e proporcionalitetit.