Prokuroria Fier dërgon në gjyq noteren per falsifikim te dokumenteve noteriale

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim noteren me inicialet A.H., e akuzuar për falsifikim të përsëritur të dokumenteve noteriale.

Sipas hetimeve për procedimin penal të regjistruar në vitin 2019, gjatë periudhës 2011–2020, noterja dyshohet se ka hartuar dhe lëshuar akte noteriale duke përdorur emrat e noterëve të tjerë, pa qenë këta të fundit autorë të dokumenteve. Në raste të tjera, ajo dyshohet se ka hartuar akte pa praninë e palëve, megjithëse kjo ishte e nevojshme për kryerjen e veprimeve noteriale.

Nga hetimi ka rezultuar gjithashtu se, gjatë viteve 2011–2018, janë hartuar kontrata për shitjen e automjeteve, të cilat nuk janë regjistruar në regjistrat përkatës noterialë. Në një numër të konsiderueshëm rastesh, dyshohet se është përdorur emri i një notereje me zyrë në Tiranë, ndërsa aktet janë hartuar në Fier nga e pandehura.

A.H. akuzohet për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga personi që ka për detyrë t’i lëshojë ato, e kryer më shumë se një herë, sipas nenit 186, paragrafi i tretë, të Kodit Penal.

Ndaj së njëjtës notere janë përfunduar hetimet edhe në kuadër të një procedimi tjetër penal, të regjistruar në vitin 2023, për të njëjtën vepër penale.