Erion Veliaj kundërshton transferimin në Fier: Po më bëhet një rrëmbim policor

Erion Veliaj ka reaguar pas njoftimit se do të transferohet nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës në burgun e Fierit.

Në një deklaratë të bërë publike më 28 tetor, Veliaj pretendon se autoritetet nuk i kanë vënë në dispozicion as atij dhe as avokatit të tij aktin që urdhëron transferimin dhe arsyet ligjore që e justifikojnë atë.

Ai e cilëson transferimin e detyruar, pa transparencë dhe pa iu bërë të njohura arsyet ligjore, si një “rrëmbim policor”. Veliaj pretendon gjithashtu se bëhet fjalë për një transferim politik.

Ai u ka kërkuar Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit të ndërhyjnë urgjentisht për të verifikuar arsyet e këtij vendimi.

Deklarata e plotë e Erion Veliajt:

Sot, një grup punonjësish të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë paraqitur në IEVP Durrës për të më transferuar në burgun e Fierit.

Pavarësisht kërkesave të përsëritura, si nga unë ashtu edhe nga avokati im, për t’u njohur me aktin që urdhëron transferimin dhe arsyet që e justifikojnë atë, na është refuzuar vënia në dispozicion e këtij dokumenti.

Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia.

Unë nuk kam dhënë pëlqimin për këtë transferim dhe kam kundërshtuar mënyrën se si po realizohet, pa transparencë dhe pa më mundësuar ushtrimin efektiv të të drejtave të mia ligjore.

I kërkoj publikisht Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit të ndërhyjnë urgjentisht, të verifikojnë arsyet dhe shkaqet e këtij transferimi politik.

Erion Veliaj
IEVP Durrës, 28 tetor 2026