Prokuroria e Beratit kërkon 21 vite burg për dy persona, akuzohen për shfrytëzim prostitucioni

Prokuroria e Beratit ka kërkuar 21 vite burg në total për dy shtetasit R.L. dhe E.V., të akuzuar për shfrytëzim prostitucioni. Konkretisht, organi i akuzës ka kërkuar 12 vite burg për R.L. dhe 9 vite burg për E.V.

Në përfundim të hetimeve për procedimin penal nr. 256 të vitit 2025, prokuroria ka arritur në përfundimin se dy të pandehurit kanë shfrytëzuar për prostitucion shtetasen Y.Sh., duke përfituar materialisht nga kjo veprimtari.

Sipas hetimeve, R.L., bashkëjetuesi i saj, kishte dijeni për ushtrimin e prostitucionit dhe merrte paratë që ajo fitonte. Ndërkohë, klientët dyshohet se siguroheshin nga E.V., i cili e kishte punësuar gruan në ambientet e klubit të tij, duke e paraqitur si valltare.

Nga dëshmia e shtetases Y.Sh. ka rezultuar se ajo ushtronte prostitucion në zonën e Urës Vajgurore, në Berat, ndërsa të ardhurat ndaheshin mes bashkëjetuesit të saj dhe mikut të tij.

Po sipas deklarimeve të saj, dy të pandehurit kishin tentuar edhe ta dërgonin në Greqi për ta shfrytëzuar, duke kërkuar në këmbim nga 500 euro në muaj secili.

Gjatë hetimeve, R.L. ka pranuar se e kishte shtyrë bashkëjetuesen të ofronte shërbime seksuale për shkak të vështirësive ekonomike, si dhe se në disa raste e kishte ndihmuar për të gjetur klientë kundrejt pagesës.

Prokuroria vlerëson se R.L. ka pasur rolin kryesor në organizimin e veprimtarisë, duke siguruar klientët, përcaktuar vendin dhe çmimet, si dhe duke përfituar financiarisht. Ndërsa E.V. akuzohet se ka ndihmuar në realizimin e veprës penale, duke e punësuar gruan në klubin e tij me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Beratit i ka kërkuar gjykatës dënimin me 12 vite burg për R.L. dhe 9 vite burg për E.V. Kërkesa përfaqëson pretencën e organit të akuzës, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret nga gjykata.