Roskoveci bëhet qendra e aktivitetit të Asamblesë Euro-Mesdhetare, në fokus bashkëpunimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm

Shqipëria mirëpret Asamblenë Rajonale dhe Lokale Euro-Mesdhetare (ARLEM), me aktivitetet që zhvillohen në datat 26–28 tetor 2026. Roskoveci do të jetë një nga pikat kryesore të këtij aktiviteti ndërkombëtar, i cili synon forcimin e bashkëpunimit mes autoriteteve vendore dhe rajonale të vendeve të Bashkimit Evropian dhe partnerëve të Mesdheut Jugor.

Në aktivitet marrin pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe rajonale, institucioneve evropiane dhe organizatave ndërkombëtare. Qëllimi është nxitja e nismave konkrete për zhvillim të qëndrueshëm në rajonin Euro-Mesdhetar, përmes shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të partneriteteve institucionale.

Programi përfshin takime koordinuese, sesione tematike dhe diskutime mbi zbatimin e Paktit për Mesdheun. Pjesë e tij do të jetë edhe ceremonia e ndarjes së Çmimit ARLEM 2026, për sipërmarrjen e re vendore në Mesdhe.

Më 27 tetor do të zhvillohet seanca e hapjes, ku fjalën përshëndetëse do ta mbajnë kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi, dhe drejtoresha ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë, Adelina Farrici.

Në aktivitet do të marrin pjesë gjithashtu bashkëpresidentët e ARLEM-it, si dhe përfaqësues të Komisionit Evropian, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Unionit për Mesdheun.

Një nga temat kryesore të takimit do të jetë zbatimi i Paktit për Mesdheun përmes angazhimit të autoriteteve vendore dhe rajonale. Diskutimet do të përqendrohen te sfidat dhe mundësitë konkrete për zhvillimin e komuniteteve, me vëmendje të veçantë ndaj barazisë gjinore, menaxhimit të ujit, përballimit të ndryshimeve klimatike, mbrojtjes civile dhe forcimit të kapaciteteve institucionale.

Gjatë sesioneve tematike do të prezantohen edhe iniciativa dhe projekte konkrete, mes tyre “Gender Equality Facility in Albania”, që lidhet me mbështetjen e barazisë gjinore në Shqipëri, si dhe projektet “NATURIncMed”, “ForestMED” dhe “MEDTER”.

Programi do të përmbyllet më 28 tetor me një vizitë studimore dhe kulturore në Roskovec dhe Berat. Kjo vizitë do t’u japë pjesëmarrësve mundësinë të njihen nga afër me territorin, zhvillimin vendor dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë.

Përmes organizimit të këtij aktiviteti, Shqipëria synon të kontribuojë në forcimin e dialogut dhe partneriteteve Euro-Mesdhetare, duke vënë në qendër bashkëpunimin mes pushtetit vendor, institucioneve evropiane dhe partnerëve ndërkombëtarë për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm.