Roskovec/ Qëlloi me armë para banesës së ish-bashkëjetueses, arrestohet 37-vjeçari

Një 37-vjeçar është arrestuar nga Policia në Roskovec, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri para banesës ku jetonte ish-bashkëjetuesja e tij, në fshatin Luar.

Në pranga ka rënë shtetasi me inicialet B. M., banues në Roskovec. Arrestimi i tij u krye pas njoftimit për të shtëna me armë zjarri, ndërsa shërbimet e Stacionit të Policisë Roskovec, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, organizuan operacionin për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Sipas hetimeve paraprake, 37-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri për motive të dobëta, përpara banesës së ish-bashkëjetueses së tij.

Ndaj tij rëndojnë dyshimet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.