Motra e Erjon Vishkullit përgënjeshtron Ramën: Në Itali e çuan familja dhe miqtë, jo shteti

Motra e 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili u plagos rëndë në syrin e majtë nga një plumb gome gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, ka reaguar publikisht duke kundërshtuar deklaratat se shteti shqiptar ka mundësuar transferimin e tij në Itali për trajtim të specializuar.

Përmes një postimi në Instagram, ajo sqaron se dërgimi i të vëllait jashtë vendit është bërë falë përpjekjeve dhe mbështetjes financiare të familjarëve, miqve dhe personave që u janë gjendur pranë.

Reagimi vjen pasi kryeministri Edi Rama deklaroi se kishte dhënë udhëzime për mbulimin e shpenzimeve të ndërhyrjeve mjekësore të të riut.

Motra e Vishkullit u ka bërë thirrje mediave të mos publikojnë informacione të pavërteta dhe të mos e përdorin gjendjen shëndetësore të vëllait të saj për qëllime politike.

“Falënderojmë personat që morën iniciativën për një ndërhyrje më të specializuar në Itali. Dhe u bëj thirrje portaleve: Mos ndani lajme pa bazë për shikime apo mashtrime e propaganda të Ramës, për të dalë protagonist i ngjarjes vetë dhe për ta kthyer çështjen në politike, duke deklaruar që ka dhënë urdhër për të mbuluar shpenzimet e operacioneve”, shkruan ajo.

Më tej, ajo thekson se transferimi është organizuar nga familja dhe personat që i kanë mbështetur, duke mohuar përfshirjen e shtetit në këtë proces.

“STOP FAKE NEWS! E kanë çuar familja, miqtë dhe mbështetësit e familjes tonë dhe JO SHTETI. Shpërndani lajme të sakta”, shprehet motra e 28-vjeçarit.

Në mesazhin e saj, ajo falënderon të gjithë ata që janë interesuar për shëndetin e Erjonit dhe shpreh shpresën që ai të rikthehet pranë familjes pas trajtimit në Itali.

“Të duam pa fund, ERJON! Kthehu në shtëpi shëndoshë e mirë, duke buzëqeshur, t’ia gëzojmë zemrën mamit dhe babit”, përfundon ajo.

Erjon Vishkulli u plagos në syrin e majtë gjatë protestës studentore të 24 tetorit në Tiranë. Familjarët shpresojnë që trajtimi i specializuar në Itali të ndihmojë në shpëtimin e shikimit të tij.