Një 34-vjeçar është arrestuar, ndërsa një 37-vjeçar është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se kanë kanosur një 28-vjeçar për t’u dhënë një shumë parash që pretendonin se ua kishte borxh.
Operacioni policor i koduar “Këmbimi” u finalizua nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në Fier, pas kallëzimit të të riut, rezident në Itali.
Sipas policisë, në këmbim të borxhit, 28-vjeçari kishte udhëzuar vëllanë e tij t’i dorëzonte në Lushnjë dy automjete 34-vjeçarit, i cili u kap në flagrancë gjatë marrjes së tyre.
Gjatë kontrollit, të arrestuarit iu gjet një pistoletë neuroparalizuese. Dy automjetet dhe arma u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Policia vijon punën për kapjen e 37-vjeçarit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Të dy personat rezultojnë me precedentë të mëparshëm penalë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.










