Fier dhe Durrës, ndikimin më të madh në rritjen e kostove të energjisë për ujësjellësit

Energjia rëndon ujësjellësit, Fier dhe Durrës me kontributin kryesor në rritjen e kostove

Kostot e energjisë elektrike vijojnë të rëndojnë financat e shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve, duke zënë rreth 25% të shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes së sektorit.

Sipas raportit të performancës së Entit Rregullator të Ujit (ERRU), gjatë vitit 2025 shpenzimet për energjinë elektrike u rritën me 85.8 milionë lekë, ose 3.5%, krahasuar me një vit më parë.

Kontributin kryesor në këtë rritje e dhanë shoqëritë rajonale të ujësjellës-kanalizimeve në Durrës dhe Fier. Në rastin e Durrësit, shtimi i shpenzimeve lidhet kryesisht me rritjen e vëllimit të ujit të prodhuar dhe shpërndarë, që ka kërkuar më shumë orë pune të stacioneve të pompimit dhe, rrjedhimisht, konsum më të lartë të energjisë elektrike.

Mbi gjysma e shoqërive nuk mbulojnë kostot

Vështirësitë financiare mbeten të konsiderueshme për sektorin. Nga 17 shoqëri që operuan gjatë vitit 2025, vetëm 8 arritën të mbulonin me të ardhurat e faturuara kostot operative dhe të mirëmbajtjes. Nëntë shoqëritë e tjera, ose 53% e totalit, nuk arritën të siguronin të ardhura të mjaftueshme për të përballuar këto shpenzime.

Sipas ERRU-së, kjo situatë ka sjellë akumulimin e detyrimeve të prapambetura ndaj OSHEE-së nga viti në vit, pavarësisht subvencioneve të akorduara nga qeveria.

Të dhënat e Entit Rregullator të Energjisë tregojnë se në fund të qershorit 2026, borxhi i klientëve jobuxhetorë, ku përfshihen edhe shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve, arriti në 21.21 miliardë lekë.

Krahasuar me fundin e vitit 2025, detyrimet e kësaj kategorie u rritën me 296 milionë lekë, ndërsa kundrejt fundit të vitit 2024, shtesa arrin në rreth 1.66 miliardë lekë.

ERRU vlerëson se kostot e energjisë elektrike do të vijojnë të ushtrojnë presion mbi financat e sektorit, për sa kohë një pjesë e shoqërive nuk arrijnë të sigurojnë të ardhura të mjaftueshme për të mbuluar plotësisht shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes.