Biletat e avionit në Evropë pritet të shtrenjtohen deri në 20%

Çmimet e biletave të avionit në Evropë mund të rriten me 10 deri në 20% gjatë 12 muajve të ardhshëm. Paralajmërimi vjen nga drejtori ekzekutiv i Ryanair, Michael O’Leary, i cili ia atribuon shtrenjtimin rritjes së kostove të karburantit pas luftës me Iranin dhe pakësimit të vendeve të disponueshme në treg.

Sipas O’Leary, rritja e çmimeve të karburantit për avionë po ushtron presion mbi kompanitë ajrore, duke rritur kostot e operimit dhe duke rrezikuar të reflektohet drejtpërdrejt në çmimet që paguajnë pasagjerët. Situata ndikohet gjithashtu nga falimentimet dhe blerjet mes kompanive, të cilat mund të kufizojnë ofertën e fluturimeve.

Kreu i Ryanair bëri të ditur se kompania ka siguruar paraprakisht rreth 80% të nevojave për karburant deri në mars të vitit 2027, me një çmim prej 67 dollarësh për fuçi. Ndërsa për periudhën pas prillit 2027, vetëm 15% e kostove të pritshme janë mbuluar paraprakisht.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, O’Leary njoftoi gjithashtu shkurtimin e 20 linjave ajrore dhe heqjen e më shumë se një milion vendeve nga programi dimëror i Ryanair në Belgjikë, në shenjë kundërshtimi ndaj rritjes së taksës së aviacionit.