Euro bie nën 91 lekë, shënon nivelin më të ulët historik

Euro ka zbritur për herë të parë nën kufirin e 91 lekëve, duke u këmbyer të martën me 90.77 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Zhvlerësimi vjetor i monedhës europiane ka arritur në 6.2%.

Rënia e euros vijon pavarësisht protestave dhe tensioneve politike në vend. Agjentët e këmbimit valutor e shpjegojnë këtë tendencë me rritjen e ofertës së valutës nga turizmi, investimet e huaja dhe remitancat, si dhe me dobësimin e kërkesës për euro.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në gjysmën e parë të vitit 2026, deficiti i llogarisë korrente u ul me gati 41%, ndërsa investimet e huaja direkte arritën në 1.144 miliardë euro, me rritje 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.