Familja e Ilirjan dhe Hektor Banajt në Patos është e tronditur nga vendimi i Gjykatës së Fierit për shuarjen e dënimit me 25 vite burg të Sokol Hoxhës, autorit të vrasjes së dy vëllezërve në mars të vitit 1997.
Për nënën e viktimave, vendimi i marrë një ditë më parë ka rikthyer dhimbjen e një tragjedie që prej 29 vitesh nuk është harruar. Ajo kujton ende momentet kur mësoi për vrasjen e djemve të saj. Njëri prej tyre ishte i martuar dhe la pas një fëmijë vetëm 20 muajsh, ndërsa tjetri ishte vetëm 20 vjeç.
“U vranë më 30 mars. Më 31 u varrosën. Më 3 qershor, Hektori mbushte 21 vjeç. Hëngrën bukë në drekë dhe dolën. Djali i vogël e dëgjoi dhe erdhi e më tha mua… E ka lënë djalin 20 muajsh. Unë e ndjeva, nuk isha mirë”, rrëfeu nëna e viktimave.
Për gati tri dekada, familjarët kanë pritur që autori të vihej para drejtësisë dhe të vuante dënimin e dhënë nga Gjykata e Fierit në vitin 2000. Por vendimi për shuarjen e dënimit, për shkak të parashkrimit, ka shkaktuar indinjatë te familja.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Aurora Tusha, pas kërkesës së prokurores Malbora Dinaj, e cila argumentoi se kishin kaluar afatet ligjore për parashkrimin e dënimit penal.
Sokol Hoxha, 51 vjeç, u ekstradua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë më 6 gusht 2026, pas arrestimit në muajin maj, në kuadër të operacionit të koduar “Globi”.
Megjithatë, shuarja e dënimit në Shqipëri nuk do të thotë se Hoxha do të lirohet. Sipas burimeve nga burgu i Fierit, ai është dënuar me burgim të përjetshëm në Belgjikë për vrasjen e Brunilda Dervishit në Bruksel, në vitin 1997.










