Nga 1 janari 2027, sigurimi i makinës do të verifikohet me kod QR

Duke nisur nga 1 janari 2027, qytetarët dhe organet e kontrollit do të mund të verifikojnë vlefshmërinë e policave të sigurimit të detyrueshëm të automjeteve përmes një kodi QR, i cili do të vendoset në dokumentin e sigurimit.

Sistemi i ri, i parashikuar në rregulloren e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), do të mundësojë kontrollin në kohë reale të statusit të policës, përmes skanimit të kodit me telefon dhe lidhjes me portalin zyrtar të institucionit.

Kodi QR do të gjenerohet automatikisht nga sistemi i shoqërisë së sigurimit në momentin e lëshimit të policës. Ai do të përmbajë adresën e portalit të verifikimit të AMF-së dhe Kodin Unik të Raportimit, pa përfshirë të dhëna personale të pronarit apo përdoruesit të automjetit.

Verifikimi do të bëhet pa regjistrim dhe fjalëkalim

Përveç skanimit të kodit QR, përdoruesit do të kenë mundësi të kontrollojnë policën edhe përmes kërkimit manual, duke vendosur Kodin e Raportimit ose targën e automjetit së bashku me numrin e shasisë. Kërkimi vetëm me targë nuk do të lejohet.

Portali do të tregojë nëse polica është “AKTIVE” ose “JO AKTIVE”. Në rastin e dytë, do të shfaqet edhe arsyeja, si skadimi i afatit, anulimi apo zëvendësimi i policës.

Policat e skaduara do të vijojnë të shfaqen në sistem për 15 ditë pas përfundimit të mbulimit, me statusin “JO AKTIVE – SKADUAR”. Pas këtij afati, ato nuk do të shfaqen më në portal dhe kërkimi do të japë përgjigjen “NUK U GJET”.

Çfarë të dhënash do të shfaqen?

Gjatë verifikimit do të mund të shihen shoqëria e sigurimit, lloji i policës, targa, numri i shasisë, data e lëshimit, periudha e mbulimit dhe ditët e mbetura deri në skadim. Sistemi do të regjistrojë gjithashtu datën dhe orën e kontrollit.

Për Kartonin Jeshil, që përdoret për sigurimin ndërkombëtar të automjeteve, do të shfaqen edhe të dhëna shtesë, si shteti lëshues, kategoria dhe marka e automjetit, pronari dhe zonat e mbulimit, pasi informacioni përkatës të jetë i disponueshëm në regjistër.

Për mbrojtjen e të dhënave personale, gjatë kërkimit manual nuk do të shfaqen emri i pronarit të automjetit, numri i kontratës dhe disa kode teknike të lidhura me policën.

Në rast të mospërputhjeve mes dokumentit dhe të dhënave në portal, përdoruesit do të mund të raportojnë problemin përmes rubrikës përkatëse në sistem.

Vendosja e kodit QR është pjesë e procesit të digjitalizimit të sigurimeve në Shqipëri. Gjatë vitit 2027 pritet të zbatohet gjithashtu edhe polica digjitale e sigurimit, me përdorimin e nënshkrimit elektronik, me synimin për të reduktuar dokumentacionin fizik dhe për të thjeshtuar procedurat për qytetarët.