Vetëm pak kilometra larg qytetit të Fierit, dhjetëra familje në fshatrat Vadhizë dhe Radostinë vijojnë të përballen me mungesën e ujit të pijshëm, një problem që sipas banorëve zgjat prej më shumë se tre dekadash.
Banorët shprehen se furnizimi me ujë realizohet vetëm rreth një orë në ditë, çka e bën të vështirë përmbushjen e nevojave të përditshme të familjeve. Ata thonë se situata është kthyer në një shqetësim të vazhdueshëm, veçanërisht gjatë periudhave të temperaturave të larta.
Sipas tyre, pavarësisht kërkesave të herëpashershme drejtuar institucioneve përgjegjëse, problemi ende nuk ka gjetur zgjidhje. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për garantimin e furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm, duke theksuar se është e papranueshme që komunitete kaq pranë qytetit të Fierit të përballen ende me këtë situatë.










