Bashkimi Europian ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me dosjen e ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, duke përcjellë një mesazh të qartë mbështetjeje institucionale për Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
I pyetur rreth çështjes ku është e përfshirë ish-drejtuesja e SHISH-it dhe masës së sigurimit “arrest në shtëpi” të vendosur ndaj saj, zëdhënësi i Komisionit Europian për Zgjerimin, Guillaume Mercier, deklaroi se Brukseli mban linjën e tij standarde duke mos u shprehur për procese gjyqësore apo hetimore aktive.
Në përgjigjen e tij zyrtare, Mercier theksoi se Bashkimi Europian ndjek me vëmendje ecurinë e reformave në Shqipëri, pa marrë qëndrim mbi provat apo fajësinë e personave të përfshirë në dosje.
“Ne nuk komentojmë çështje që janë në proces, por ajo që mund të themi është se ne i ndjekim nga afër zhvillimet që lidhen me shtetin e së drejtës, veçanërisht reformat në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, fusha në të cilat Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm”, u shpreh Guillaume Mercier, Zëdhënës i Komisionit Europian për Zgjerimin
Pavarësisht abstenimit nga komentet për rastin konkret, zëdhënësi i Komisionit Europian nënvizoi besimin e paprekur të BE-së ndaj organit të posaçëm të hetimit në Shqipëri për trajtimin e kësaj dosjeje dhe çështjeve të tjera të krimit të organizuar.
“Kemi besim të plotë tek aftësia e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, për të zbuluar, hetuar dhe ndjekur penalisht krimin e organizuar”, u shpreh Mercier.
Përfaqësuesi i BE-së bëri të ditur gjithashtu se komunikimi dhe kontaktet e përditshme me autoritetet shqiptare vijojnë normalisht në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe procesit të integrimit europian.










