Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të ngritur shqetësimin mbi ndikimin dhe rreziqet që sjell zhvillimi i shpejtë i Inteligjencës Artificiale.
Në fjalimin e tij, kreu i qeverisë shqiptare tha se bota po përballet me një teknologji që nuk po ndryshon vetëm ekonominë apo mënyrën e komunikimit, por edhe vetë perceptimin e njerëzve për realitetin. Rama paralajmëroi se Inteligjenca Artificiale mund të përdoret për të krijuar realitete të fabrikuara, të përshtatura sipas frikërave dhe bindjeve të individëve, duke ndikuar në shkallë masive mbi opinionin publik.
Ai e krahasoi revolucionin e Inteligjencës Artificiale me shpikje që kanë shënuar kthesa historike për njerëzimin, si baruti dhe energjia bërthamore, duke theksuar se ndikimi i saj shkon edhe më thellë, pasi prek drejtpërdrejt mënyrën se si qytetarët informohen dhe formojnë bindjet e tyre.
Rama theksoi se rreziku më i madh nuk qëndron te vetë teknologjia, por te mënyra se si ajo mund të përdoret nga njerëzit dhe qeveritë për të manipuluar informacionin dhe për të ushtruar ndikim mbi shoqëritë.
Sipas tij, Inteligjenca Artificiale mund të shndërrohet në një mjet të fuqishëm dezinformimi, i aftë të prodhojë dhe të shpërndajë në masë informacione të rreme, duke ndikuar në debatin publik, në vendimmarrje dhe madje edhe në konfliktet e së ardhmes.
Nga foltorja e OKB-së, kryeministri shqiptar bëri thirrje për më shumë vëmendje dhe përgjegjësi globale ndaj zhvillimit të kësaj teknologjie, duke paralajmëruar se pasojat e saj mund të jenë shumë më të mëdha sesa parashikohet sot.










