Mesazhe të forta në dosjen e SPAK, çfarë bisedonte Vlora Hyseni me Ergys Agasin!?

Detaje të reja kanë dalë nga hetimi i SPAK ndaj ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, dhe biznesmenit Ergys Agasi. Sipas materialeve hetimore, janë zbardhur komunikime mes tyre që, sipas prokurorëve, ngrenë dyshime jo vetëm për kontakte të vazhdueshme, por edhe për një marrëdhënie personale.

Në bisedat e administruara nga SPAK shfaqen mesazhe me përmbajtje personale, ku përdoren shprehje si: “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot”, “Të gjithë ne” dhe “Do përfundojmë keq, shpirt”.

Sipas dyshimeve të ngritura nga organi i akuzës, Hyseni nuk ka qenë thjesht në komunikim me Agasin, por dyshohet se ka treguar gatishmëri për ta ndihmuar atë në lidhje me çështjen penale ku ai ishte i përfshirë, duke përdorur autoritetin dhe kapacitetet institucionale që i jepte funksioni i saj.

Një tjetër pistë e hetimit lidhet me automjetin e sekuestruar të Agasit në ambientet e Equos Resort. Sipas të dhënave të bëra publike, në mjet janë gjetur materiale që dyshohet se i përkisnin Shërbimit Informativ të Shtetit, element që po verifikohet nga hetuesit.

Javën e kaluar, Vlora Hyseni është marrë në pyetje nga SPAK. Gjatë dëshmisë së saj, ajo ka pranuar ekzistencën e komunikimeve me Ergys Agasin dhe ka deklaruar se prej tij ka marrë informacione që lidhen me SHISH-in. Megjithatë, ish-kreu i shërbimit sekret ka mohuar të ketë zhvilluar takime fizike apo bashkëpunim me Agasin.

Ndërkohë, hetimet kanë evidentuar edhe emrin e Embo Sulejmanit, i cili sipas materialeve të administruara rezulton të ketë qenë një nga kontaktet e drejtpërdrejta të Agasit. Sipas të dhënave hetimore, Agasi ka qëndruar për periudha të gjata në vilat qeveritare, ndërsa komunikimet e gjetura në telefonat celularë po analizohen për të hedhur më shumë dritë mbi marrëdhëniet dhe lëvizjet e personave të përfshirë në këtë çështje.