Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka zhvilluar takimin e parë me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, ku ka rikonfirmuar mbështetjen e BE-së për një SPAK të pavarur dhe efektiv.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Moreira de Sousa vlerësoi punën e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta, duke e cilësuar atë thelbësore për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
“Vijimi i rezultateve konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një element kyç i përparimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, u shpreh ambasadorja e BE-së.
Ajo theksoi se Bashkimi Evropian do të vijojë të mbështesë punën për forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.










