FBI dhe partnerët ndërkombëtarë në Tiranë, Hita: Bashkëpunim më i fortë kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit

Tirana është kthyer në qendrën e një takimi të rëndësishëm ndërkombëtar të sigurisë, ku marrin pjesë përfaqësues të FBI Academy National Associates, atashe ligjorë amerikanë dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.

Gjatë konferencës së zhvilluar në kryeqytet, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, vuri theksin te forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimeve kibernetike.

Sipas tij, zhvillimet teknologjike dhe natyra gjithnjë e më ndërkombëtare e veprimtarisë kriminale kërkojnë një koordinim më të madh mes agjencive ligjzbatuese, si dhe shkëmbim të shpejtë informacioni ndërmjet partnerëve.

Në fjalën e tij, Hita vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me agjenci si FBI, DEA, Europol dhe Interpol, duke theksuar se rezultatet e arritura në luftën kundër krimit janë produkt i veprimit të përbashkët dhe i besimit mes institucioneve.

Takimi në Tiranë u fokusua te sfidat e sigurisë në nivel global, hetimet kibernetike, përdorimi i teknologjisë në luftën kundër krimit dhe forcimi i kapaciteteve profesionale të strukturave ligjzbatuese.

Pjesëmarrësit theksuan se përballja me rrjetet kriminale ndërkombëtare kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm, koordinim operacional dhe shkëmbim të informacionit në kohë reale, si elementë kyç për rritjen e efektivitetit të hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta.