Situata kriminale në Sarandë ka vënë në lëvizje drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit. Drejtori i Pergjithshem i Policise se Shtetit , Skënder Hita, ka mbërritur në qytetin bregdetar, ku po zhvillon një mbledhje urgjente me drejtuesit dhe strukturat vendore të policisë.
Takimi është fokusuar në analizën e situatës së rendit dhe sigurisë, si dhe në masat që duhet të ndërmerren për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale.
Burime policore bëjnë me dije se gjatë mbledhjes po shqyrtohen zhvillimet e fundit në qytet, puna e strukturave të rendit në terren dhe rezultatet e kontrolleve të kryera deri më tani. Po ashtu, pritet të përcaktohen detyra konkrete për rritjen e prezencës policore dhe forcimin e masave të sigurisë.
Mbërritja e Skënder Hitës në Sarandë vjen në një moment të ndjeshëm për rendin publik në qytetin bregdetar, ndërsa strukturat e Policisë së Shtetit po intensifikojnë veprimet për garantimin e sigurisë dhe goditjen e elementëve kriminalë.










