Pl*gosi me drapër babanë e ish-bashkëjetueses, Gjykata e Fierit lë në burg Bledar Bakajn

Gjykata e Fierit lë në burg Bledar Bakajn, dyshohet për plagosje të rëndë me dashje

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin B.B. (Bledar Bakaj), i arrestuar pas ngjarjes së ndodhur në fshatin Suk.

Vendimi është dhënë këtë të enjte nga gjyqtarja Bora Shaholli, pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Fierit.

Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, Bakaj dyshohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88/2 i Kodit Penal, si dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, parashikuar nga neni 321/2 i Kodit Penal.

Trupi gjykues vendosi fillimisht të vlerësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të tij dhe më pas caktoi masën shtrënguese “Arrest në burg”.

Bakaj u arrestua nga Policia e Fierit pasi akuzohet se plagosi me drapër në këmbë Enver Grëmbin, babanë e ish-bashkëjetueses së tij, pas një konflikti të ndodhur në fshatin Suk.

Gjykata urdhëroi Policinë Gjyqësore për ekzekutimin e vendimit, ndërsa ndaj këtij vendimi mund të ushtrohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 5 ditëve.