Celularë në burgjet e Peqinit dhe Fierit, një i arrestuar dhe 8 persona nën hetim

Kontrolle në burgjet e Peqinit dhe Fierit, arrestohet një i burgosur dhe procedohen 8 persona

Kontrollet e zhvilluara nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP), në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë, kanë zbuluar raste të mbajtjes së celularëve nga të burgosur në IEVP Peqin dhe IEVP Fier.

Në burgun e Peqinit, gjatë kontrollit në sendet personale të të burgosurit F. Ç., u gjet një aparat celular. Pas veprimeve procedurale, ai u arrestua në flagrancë për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”.

Po ashtu, në gjendje të lirë u proceduan katër të burgosur, M. H., L. Gj., I. L. dhe F. A., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, si dhe dy punonjës policie të IEVP Peqin, Sh. K. dhe E. J., për “Shpërdorim detyre”.

Ndërkohë, në IEVP Fier, gjatë kontrollit në dhomën e të burgosurit R. K., u konstatua një aparat celular. Në përfundim të veprimeve të para procedurale, R. K. u procedua në gjendje të lirë për mbajtje të sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit, ndërsa i burgosuri E. B. u procedua për moskallëzim krimi.

Materialet procedurale janë referuar në Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe Fier për veprime të mëtejshme.