Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka nisur pagesat e para për fermerët përfitues të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026, për të gjithë ata që kanë përmbushur kriteret e përfitueshmërisë dhe kanë kaluar me sukses kontrollet administrative dhe ato në terren.
Një nga risitë kryesore të kësaj skeme është mbështetja me 10 mijë lekë për hektar për sipërfaqet e mbjella me kultura bujqësore. Në fazën e parë të aplikimeve janë përzgjedhur 20.042 fermerë përfitues, për të cilët është kërkuar dokumentacion shtesë, si vërtetimi i pronësisë mbi tokën, vërtetimi për pagesën e sigurimeve shoqërore dhe ai për detyrimet tatimore.
Sipas kritereve të përcaktuara, sipërfaqja minimale për të përfituar nga kjo masë duhet të jetë jo më pak se tre hektarë. Për sipërfaqet mbi 10 hektarë, masa e përfitimit përgjysmohet, me përjashtim të aplikantëve që kanë statusin e Shoqërisë së Bashkëpunimit Bujqësor.
Masa 9, që parashikon pagesë për sipërfaqe të mbjellë, është aplikuar për herë të parë këtë vit dhe ka rezultuar masa me interesin më të lartë nga fermerët, duke regjistruar numrin më të madh të aplikimeve dhe të aplikantëve që kanë kaluar fazën e parë të verifikimit.
Ndërkohë, AZHBR njofton se po vijon kontrollin administrativ për masat e investimeve, konkretisht masat 10, 11 dhe 12, ndërsa në vijim pritet të lidhen edhe kontratat për përfituesit e këtyre skemave.
Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026 ka tërhequr një interes të lartë në të gjithë vendin, duke regjistruar 42.728 aplikime. Vlera totale e kërkesave të paraqitura ka arritur në 7.2 miliardë lekë, ndërsa fondi i vënë në dispozicion nga shteti është 5.2 miliardë lekë.










