Alket Rizai, shqiptari i njohur për arratisjet spektakolare nga burgjet greke, është shpallur sërish në kërkim nga autoritetet e vendit fqinj, pasi nuk u kthye në burgun e Domokos pas përfundimit të lejes së tij.
Sipas mediave greke, Rizai dyshohet se ka qenë i përfshirë në një konflikt të dhunshëm në një lokal, ku pati të shtëna me armë dhe mbetën të plagosur dy persona. Kamerat e sigurisë thuhet se e kanë filmuar atë duke mbajtur një armë dhe duke qëlluar në ajër, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen.
Emri i Alket Rizait është bërë i njohur ndër vite për arratisjet e bujshme nga burgjet greke. Në vitin 2006 ai u arratis nga burgu me helikopter, së bashku me një të burgosur grek, në një operacion që tronditi sistemin penitenciar të Greqisë. Tre vite më vonë, ai realizoi një tjetër arratisje të ngjashme, sërish me helikopter dhe nga i njëjti burg.
Pas muajsh në arrati, Rizai u arrestua dhe u rikthye në qeli, por historia e tij mbeti e lidhur me dy nga arratisjet më spektakolare në historinë e burgjeve greke.
Aktualisht, ai vuan dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e një biznesmeni grek. Megjithëse kishte përfituar disa herë leje daljeje, kësaj radhe ai nuk është rikthyer në burg, duke u kthyer sërish në objekt kërkimi nga policia greke.










