Qëlloi protestuesin e prangosur, Hita pezullon nga detyra efektivin

Reagimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit

Paraditen e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, pas publikimit në rrjetet sociale, të një videoje ku shfaqet një punonjës policie, i cili godet me grusht një shtetas të shoqëruar gjatë tubimit të sotëm në Rrugën e Durrësit, Tiranë, pezulloi menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë, inspektor J. H., pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë.

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit disiplinor ndaj punonjësit të Policisë, për përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës dhe për kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi.

Policia e Shtetit nuk toleron asnjë veprim që kryhet në kundërshtim me ligjin dhe me standardet profesionale të punës dhe do të vijojë të reagojë me vendosmëri ndaj çdo shkeljeje nga punonjësit e saj.