Shqiptarët largohen, popullsia tkurret/ 68.6 mijë leje qëndrimi në BE gjatë 2025

68 mijë shqiptarë morën leje qëndrimi në BE gjatë vitit 2025, emigracioni rikthehet në rritje

Emigracioni i shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian ka shënuar sërish rritje gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave më të fundit të EUROSTAT, shtetasve shqiptarë iu dhanë 68.653 leje të para qëndrimi, ose rreth 4% më shumë krahasuar me vitin 2024.

Rritja vjen pas një viti rënieje, pasi në vitin 2024 numri i lejeve të qëndrimit për shqiptarët ishte ulur me 14%. Megjithatë, nivelet më të larta mbeten ato të viteve 2022 dhe 2023, kur vendet e BE-së lëshuan respektivisht rreth 79 mijë dhe 77 mijë leje.

Të dhënat tregojnë një ndryshim të qartë në mënyrën e emigrimit. Ndërsa kërkesat për azil kanë rënë ndjeshëm, lejet e qëndrimit vijojnë të mbeten në nivele të larta, duke treguar se shqiptarët po zgjedhin gjithnjë e më shumë rrugët e rregullta për t’u vendosur në vendet evropiane.

Gjatë vitit 2025, 46.3% e lejeve të marra nga shtetasit shqiptarë u dhanë për arsye familjare, 29.4% për punësim dhe vetëm 0.8% për arsimim. Bashkimi familjar dhe kontratat e punës vijojnë të jenë kanalet kryesore të largimit nga vendi.

Fenomeni reflektohet edhe në treguesit demografikë. Emigracioni i lartë, i kombinuar me rënien e lindjeve, po ndikon drejtpërdrejt në tkurrjen e popullsisë. Sipas INSTAT, më 1 janar 2026 Shqipëria numëronte 2.335.930 banorë, ose 1.16% më pak se një vit më parë.

Një tjetër tregues domethënës është stoku i lejeve të qëndrimit të dhëna ndër vite për shqiptarët në vendet e Bashkimit Evropian, i cili ka arritur në 875 mijë. Kjo e rendit Shqipërinë ndër vendet me numrin më të lartë të lejeve të qëndrimit në raport me popullsinë.

Ndërkohë, emigracioni mbetet një trend i përhapur në të gjithë Europën. Në vitin 2025, vendet e Bashkimit Evropian lëshuan rreth 3.9 milionë leje të para qëndrimi për shtetasit nga vendet jashtë BE-së, 10.1% më shumë se një vit më parë. Punësimi përbënte 33.6% të këtyre lejeve, ndërsa arsyet familjare 28.1%.

Ekspertët paralajmërojnë se largimi i vazhdueshëm i popullsisë, veçanërisht i moshave aktive për punë, po kthehet në një sfidë serioze për tregun e punës, konsumin dhe sistemin e pensioneve, ndërsa shifrat e reja tregojnë se interesi i shqiptarëve për t’u vendosur në vendet e Bashkimit Evropian mbetet i lartë.