Tensione në protestën kundër Muzeut Hebraik në Vlorë, qytetarët përplasen me policinë

Dhjetëra qytetarë u mblodhën në Vlorë për të protestuar kundër vijimit të punimeve për ndërtimin e Muzeut Hebraik, duke kërkuar pezullimin e projektit dhe rishikimin e vendndodhjes së tij.

Protesta u zhvillua pranë zonës ku po ndërtohet muzeu, ndërsa në përfundim të saj nuk munguan momentet e tensionit. Përplasjet nisën pasi një grup protestuesish tentoi të hynte në kantierin ku po kryhen punimet, ndërsa forcat e policisë ndërhynë për të penguar hyrjen e tyre.

Sipas protestuesve, hapësira ku po ndërtohet muzeu ka një rëndësi të veçantë historike për kombin shqiptar, pasi lidhet me figurën e Ismail Qemalit dhe firmëtarët e Pavarësisë. Ata kërkojnë që kjo zonë t’i kushtohet historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Qytetarët theksuan se kundërshtimi i tyre nuk ka të bëjë me historinë e komunitetit hebre. Sipas tyre, shqiptarët kanë dëshmuar solidaritet të jashtëzakonshëm ndaj hebrenjve gjatë Holokaustit, por një muze kushtuar kësaj historie duhet të ndërtohet në një tjetër vend.

Protestuesit propozojnë që në hapësirën ku po zhvillohen aktualisht punimet të ngrihet një muze kushtuar historisë, kulturës dhe figurave më të rëndësishme të kombit shqiptar.

Në përfundim të tubimit, ata i bënë thirrje institucioneve përgjegjëse të pezullojnë punimet dhe të hapin një debat publik për vendndodhjen e projektit.