Një aksident rrugor është regjistruar në orët e para të mëngjesit në zonën e Porto Palermos, në Himarë, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe është përmbysur, duke lënë të plagosur tre persona.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje janë nisur shërbimet e emergjencës dhe forcat e policisë.
Me mbërritjen në vendin e aksidentit, ekipet e ndihmës kanë konstatuar tre persona të lënduar, të cilët janë transportuar me ambulancë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Deri më tani nuk ka informacion zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të të plagosurve, ndërsa rrethanat dhe shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.










