Balluku publikon bilancin e “Prania Besnike” në Fier

Drejtuesja Politike e Qarkut Fier, Belinda Balluku, ka bërë publike bilancin e nismës “Prania Besnike”, e cila synon të afrojë institucionet dhe përfaqësuesit politikë me qytetarët përmes dëgjesave dhe takimeve të drejtpërdrejta.

Sipas Ballukut, java e parë e nismës u mbyll me 14 dëgjesa të zhvilluara, 262 ankesa dhe kërkesa të regjistruara, si dhe 300 qytetarë të takuar. Ajo theksoi se pas çdo shifre qëndron një qytetar me shqetësime dhe kërkesa konkrete që kërkojnë zgjidhje dhe vëmendje.

Ndërkohë, është mbyllur edhe java e dytë e “Prania Besnike”, e cila sipas saj ka sjellë tregues të rinj dhe vijim të punës në terren pranë qytetarëve të qarkut Fier.

“Prania Besnike vazhdon”, shprehet Balluku, duke nënvizuar angazhimin për të dëgjuar dhe adresuar problematikat e komunitetit përmes kontakteve të drejtpërdrejta me banorët.