Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e kësaj të enjteje në fshatin Margëlliç të Patosit, ku një elektricist është gjetur pa shenja jete pranë një shtylle elektrike të rrëzuar.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 18:00 është konstatuar i pajetë shtetasi E. D., 46 vjeç, banues në Elbasan. Ai është gjetur pranë shtyllës së rrëzuar, ndërsa dyshohet se ngjarja ka ndodhur gjatë kryerjes së punës.
Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili po punon për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.
Shkaqet e sakta të vdekjes së 46-vjeçarit mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet vijojnë.










