Kryeministri Edi Rama ka njoftuar ndryshime në strukturën e qeverisë, duke bërë të ditur se Besfort Lamallari do të largohet nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme për t’iu bashkuar ekipit të tij në Kryeministri.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se Lamallari do të jetë pjesë e skuadrës së Kryeministrisë, ndërsa drejtimin e Ministrisë së Brendshme do ta marrë Ervin Hoxha.
“Sot kemi vendosur të bëjmë një lëvizje në skuadrën që është në fushë dhe Besforti nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme do të kalojë në stolin tim, së bashku me mua dhe ekipin në Kryeministri. Ndërkohë, Ervini do të mbulojë punët e Brendshme, ku do të integrojmë edhe çështjet vendore”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, në kuadër të këtij riorganizimi, Ministrisë së Brendshme do t’i bashkohen edhe çështjet e pushtetit vendor, një praktikë që, sipas tij, ka ekzistuar edhe më parë në historikun e kësaj ministrie.










