Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kallëzimit penal të depozituar në SPAK ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, lidhur me moszbatimin e vendimit për rritjen e pagave të gjyqtarëve.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama mbrojti qëndrimin e ministrit, duke theksuar se ai është në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. Sipas kreut të qeverisë, pushteti gjyqësor nuk mund të vendosë vetë për hapjen e fondeve të shtetit, pasi një kompetencë e tillë i takon vetëm Kuvendit të Shqipërisë.
Rama bëri të ditur se ministri Malaj është konsultuar paraprakisht me të dhe me Ministrin e Drejtësisë, ndërsa ekipet juridike të qeverisë kanë mbajtur një qëndrim të njëjtë mbi çështjen.
“Pushteti gjyqësor nuk mund të hapë derën e thesarit të shtetit. Vetëm parlamenti mund ta bëjë këtë”, shkruan Rama.
Kryeministri shton se, pavarësisht debatit të krijuar, pagat e gjyqtarëve do të rriten në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por kjo do të realizohet përmes një vendimi të Kuvendit të Shqipërisë.
Ai e cilësoi të gjithë situatën si një debat të përsëritur mbi vetërritjen e pagave nga kategoria më e mirëpaguar e administratës publike në vend.










