Delegacion i lartë i NATO-s viziton Portin e Durrësit, në fokus roli strategjik i Porto Romanos dhe Korridorit VIII


Një delegacion i nivelit të lartë i NATO-s zhvilloi ditën e djeshme një vizitë zyrtare në Portin e Durrësit, ku u njoh nga afër me kapacitetet portuale dhe rëndësinë strategjike të portit dhe të Bazës Detare të NATO-s në Porto Romano për sigurinë dhe logjistikën rajonale.

Delegacioni u kryesua nga Komandanti i Komandës së Bashkuar të NATO-s në Napoli dhe shoqërohej nga përfaqësues të Forcave të Armatosura Shqiptare, si dhe nga Komandanti i Forcës Detare, Kundëradmiral Arsen Mullaj.

Gjatë vizitës, përfaqësuesit e Aleancës u pritën nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës, Andrea Shllaku, dhe Oficeri i Sigurisë së Portit, Dritan Prifti. Ata u njohën me kapacitetet përpunuese, shërbimet dhe infrastrukturën e portit, si dhe me funksionet dhe rëndësinë e Bazës Detare të NATO-s në Porto Romano.

Në qendër të diskutimeve ishte roli strategjik i Portit të Durrësit dhe i bazës detare në mbështetje të Korridorit VIII, lëvizshmërisë ushtarake dhe bashkëpunimit me strukturat euroatlantike.

Vizita nënvizoi rëndësinë e Durrësit si një nyje kyçe e transportit dhe logjistikës në rajon, duke forcuar më tej pozicionin e tij në funksion të sigurisë kolektive dhe bashkëpunimit me NATO-n.