Nesër nis sesioni i ri parlamentar, reforma territoriale dhe zgjedhore në fokus, protestë para Kuvendit

Pas përfundimit të pushimeve verore, deputetët do të rikthehen nesër në Kuvend, me nisjen e sesionit të tretë të legjislaturës së 11-të.

Seanca plenare do të zhvillohet në orën 17:00 dhe pritet të ketë kryesisht karakter ceremonial. Ndërkohë, axhenda parlamentare do të nisë që në paradite, me mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve në orën 11:00, ku pritet të përcaktohen programi dhe kalendari i punimeve për muajt në vijim.

Në qendër të debatit politik pritet të jetë reforma administrativo-territoriale. Propozimi i shumicës parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, një nismë që ka hasur kundërshtimin e opozitës dhe të disa përfaqësuesve vendorë.

Ndryshimi i hartës administrative pritet të lidhet drejtpërdrejt edhe me përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027. Paralelisht, në Kuvend pritet të rikthehet diskutimi për reformën zgjedhore dhe ndryshimet e mundshme në Kodin Zgjedhor.

Rikthimi i deputetëve pritet të shoqërohet edhe me tensione jashtë ambienteve të Parlamentit. Protestuesit kanë paralajmëruar grumbullim gjatë nisjes së sesionit, ndërsa kanë bërë thirrje për protesta simbolike me vezë dhe domate ndaj deputetëve.

Policia pritet të marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë përreth godinës së Kuvendit.

Sesioni i ri parlamentar nis kështu me një axhendë të ngjeshur politike, ku reforma territoriale, ndryshimet zgjedhore dhe protestat pritet të jenë ndër çështjet që do të dominojnë debatin në javët e ardhshme.