Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është shënuar mëngjesin e sotëm në autostradën Durrës-Tiranë, ku janë përfshirë pesë automjete.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:20. Sipas të dhënave paraprake, 45-vjeçari me iniciale H. B. është përplasur me një kamion dhe ka humbur jetën në vendngjarje.
Pas përplasjes së parë, në aksident janë përfshirë edhe tre automjete të tjera. Dy prej drejtuesve, shtetasit G. L., 59 vjeç dhe J. I., 34 vjeç, si dhe pesë pasagjerë, kanë marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, shtetasja A. V., e dyshuar si drejtuese e njërit prej automjeteve, është larguar fillimisht nga vendngjarja. Ajo është shoqëruar më pas nga Policia për të dhënë shpjegime lidhur me rrethanat e aksidentit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të përcaktuar dinamikën e përplasjes dhe shkaqet e aksidentit tragjik.










