Situata e zjarrit në zonën e Frakullës në Fier është vënë nën kontroll pas ndërhyrjes së forcave në terren dhe mjeteve ajrore.
Deputeti i Partisë Socialiste, Ramion Kurti, i cili mbulon këtë zonë, ka ndjekur nga afër situatën dhe ka raportuar gjatë ditës mbi operacionin për shuarjen dhe izolimin e vatrave të zjarrit.
Sipas Kurtit, në terren kanë qenë të angazhuara Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit dhe shërbimet zjarrfikëse, ndërsa operacioni është mbështetur edhe nga ajri.
“Situata tashmë është vendosur nën kontroll. Ne kemi qenë gjatë gjithë kohës në monitorim të situatës. Forcat e Armatosura, ushtria, Policia e Shtetit, zjarrfikësit kanë qenë të gjitha në terren. Tani në Frakull kemi vetëm një zonë aktive, e cila është në monitorim. Kanë qenë dy helikopterë dhe një avion që kanë operuar gjatë ditës”, deklaroi Kurti.
Deputeti bëri të ditur se ende nuk ka një bilanc paraprak për sipërfaqen e përfshirë nga zjarri apo për dëmet e shkaktuara.
Ai theksoi se gjatë ndërhyrjes prioriteti kryesor ka qenë mbrojtja e jetës së banorëve dhe e banesave, ndërsa forcat në terren kanë vijuar monitorimin për të shmangur riaktivizimin e vatrave.










