Ndërhyrje e suksesshme në Spitalin Memorial Fier, trajtohet një rast kompleks i pseudoaneurizmës së arteries femorale

Një ndërhyrje komplekse kirurgjikale është realizuar me sukses në Spitalin Memorial Fier, duke shënuar një tjetër hap në zhvillimin e Shërbimit të Kirurgjisë Kardiovaskulare.

Bëhet fjalë për trajtimin e një pacienti me pseudoaneurizëm të arteries femorale superficiale të djathtë, me përmasa 67 × 33 mm. Për pacientin u krye me sukses riparimi i arteries femorale superficiale të djathtë dhe pseudoaneurizmektomia, duke mundësuar trajtimin kirurgjikal të patologjisë.

Ndërhyrja u realizua nga Dr. Fation Hamiti, mjek kardiokirurg dhe kandidat për Doktor Shkencash, në bashkëpunim me një ekip multidisiplinar të përbërë nga Dr. Çagla Yazar, anesteziste, si dhe kryeinfermierja e sallës, Inf. Xhesika Hoxha, dhe infermieret Sara dhe İpek.

Sipas Spitalit Memorial Fier, kjo ndërhyrje përfaqëson një tjetër moment të rëndësishëm në konsolidimin e Shërbimit të Kirurgjisë Kardiovaskulare, duke zgjeruar mundësitë për ofrimin e trajtimeve kirurgjikale të specializuara dhe moderne në Fier.

Zhvillimi i këtij shërbimi synon që pacientët të kenë akses ndaj ndërhyrjeve të specializuara pranë vendbanimit të tyre, duke shmangur në raste të caktuara nevojën për të udhëtuar drejt qendrave të tjera spitalore.

Një tjetër ndërhyrje, një tjetër hap në zhvillimin e Kirurgjisë Kardiovaskulare në Spitalin Memorial Fier.