Fermerët paralajmërojnë protesta në shtator: Kërkojnë rritje subvencionesh dhe rikthimin e naftës pa akcizë

Fermerët dhe blegtorët paralajmërojnë rikthimin e protestave në fillim të shtatorit, nëse kërkesat e tyre për rritjen e subvencioneve, uljen e kostove të prodhimit dhe rikthimin e naftës pa akcizë nuk merren parasysh nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Në javën e parë të shtatorit, përfaqësues të fermerëve dhe blegtorëve pritet t’i paraqesin Ministrisë së Bujqësisë një paketë kërkesash që lidhen me skemën kombëtare të bujqësisë, subvencionet, TVSH-në dhe kostot e prodhimit.

Një nga kërkesat kryesore të blegtorëve është rishikimi i skemës kombëtare dhe heqja e pragjeve për përfitimin e subvencioneve direkte për bagëtitë. Ata kërkojnë gjithashtu rritjen e subvencionit për lopët nga 12 mijë në 20 mijë lekë për krerë, uljen e TVSH-së dhe masa për mbrojtjen e produkteve vendase të bulmetit.

Një tjetër kërkesë e përsëritur është rikthimi i skemës së naftës pa akcizë, e cila u hoq këtë vit. Fermerët argumentojnë se çmimi i karburantit, kostot e ushqimit të kafshëve dhe inputeve bujqësore po rëndojnë ndjeshëm aktivitetin e tyre dhe po ulin konkurrueshmërinë përballë vendeve të rajonit.

Sipas përfaqësuesve të sektorit, mbështetja që marrin fermerët shqiptarë mbetet më e ulët krahasuar me vende si Serbia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Për këtë arsye, ata kërkojnë ndërhyrje përpara hartimit të paketës fiskale dhe projektbuxhetit për vitin 2027.

Nëse kërkesat nuk reflektohen në skemën e re të mbështetjes, fermerët paralajmërojnë përshkallëzim të protestave. Këtë herë, krahas fermerëve dhe blegtorëve, në diskutim është edhe përfshirja e traktorëve në protesta.

Protesta të fermerëve u zhvilluan edhe në muajin prill para Ministrisë së Bujqësisë, ku ndër kërkesat kryesore ishte rikthimi i naftës pa akcizë dhe rritja e subvencioneve për blegtorinë. Pas protestës, përfaqësuesit e fermerëve zhvilluan një takim me ministrat e Bujqësisë dhe Financave, ku u diskutua mundësia e rishikimit të kërkesave në muajin shtator.