Rreth 21 mijë tonë naftë është prodhuar nga kompania shtetërore Albpetrol gjatë katër muajve të parë të këtij viti. Të dhënat e publikuara nga vetë kompania tregojnë se prodhimi vijon të mbetet në nivele të ngjashme me vitet e fundit.
Prodhimi më i madh është siguruar nga vendburimi Gorisht-Kocul, nga ku janë nxjerrë rreth 9,634 tonë naftë. Pas tij renditet Kuçova me 5,191 tonë, ndërsa vendburimi Cakran-Mollaj ka prodhuar rreth 3,939 tonë.
Në vendburimin e Patosit prodhimi rezulton në rreth 1,306 tonë, ndërsa nga Amonica janë nxjerrë rreth 960 tonë naftë.
Aktualisht, Albpetrol ushtron aktivitetin e nxjerrjes së naftës në vendburimet Kuçovë, pjesën jugore të Patos-Marinzës, Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul, Amonicë dhe Karbunarë.
Rekordi i prodhimit u shënua në vitin 2017, kur Albpetrol prodhoi mbi 93 mijë tonë naftë, ndërsa në vitin 2018 prodhimi arriti në rreth 89.5 mijë tonë.










