Çmimi i naftës mund të arrijë deri në 3 euro për litër në muajt e ardhshëm, nëse tensionet në Lindjen e Mesme dhe pasiguria në Ngushticën e Hormuzit vijojnë.
Paralajmërimi është bërë nga Michele Marsiglia, president i FederPetroli Italia, i cili e konsideron situatën shqetësuese. Sipas tij, rritja nuk pritet të jetë e menjëhershme, por një skenar i tillë mund të materializohet brenda pak muajsh nëse kriza nuk qetësohet.
Ndërkohë, çmimi i naftës bruto Brent është ngjitur në rreth 92-93 dollarë për fuçi, ndërsa gazi tregtohet rreth 63 euro/MWh.
Rritja e kostove të karburantit ka shqetësuar edhe bizneset e vogla në Itali, të cilat paralajmërojnë ndikim në fitime dhe kërkojnë masa fiskale nga qeveria për të frenuar kostot.
Edhe organizata Codacons ka kërkuar që ulja e taksës të shtrihet edhe te benzina, për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve.
Sipas Observatorit mbi Llogaritë Publike Italiane, rritjet e çmimit të naftës bruto reflektohen më shpejt te konsumatori sesa uljet. Rreth dy të tretat e një rritjeje të çmimit të naftës bruto kalojnë në çmimin e karburantit në pompë brenda tre ditësh.
Në Itali, benzina me vetëshërbim në autostrada kushton mesatarisht 2.178 euro/litër, ndërsa në rrjetin kombëtar 1.997 euro/litër. Nafta kushton mesatarisht 2.107 euro/litër.










