Dy punonjës policie janë pezulluar nga detyra pas vrasjes së 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil.
Bëhet fjalë për Miosid Matushaj, punonjës i strukturave të Policisë së Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër, dhe Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër.
Sipas hetimeve, të dy ndodheshin në ambientet e kompleksit “Principote” në momentin kur nisi konflikti që më pas përfundoi me vrasjen e turistit. Ata kishin shkuar në lokal në funksionin e bodyguard-ëve, ndërsa detyra e tyre ishte garantimi i sigurisë në ambientet e kompleksit.
Sipas Policisë, gjatë konfliktit ata nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, ndërsa pas ngjarjes nuk kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Shtetit për vrasjen.
Miosid Matushaj është arrestuar dhe ndaj tij rëndojnë akuzat për “Moskallëzim të krimit” dhe “Mosmarrje të masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.
Edhe Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër, rezulton të ketë qenë pjesë e grupit të personave që ushtronin funksionet e sigurisë në “Principote”. Për të, hetimet lidhen me përgjegjësinë për moskallëzimin e ngjarjes.
Në dosjen hetimore rezulton se në momentin e konfliktit në “Principote” ndodheshin edhe dy persona të tjerë që ushtronin funksione sigurie. Policia ka referuar në Prokurori përgjegjësitë e tyre për veprimet dhe mosveprimet para dhe pas vrasjes.










