Aksidenti në Manzë/ Tre persona humbin jetën, 16-vjeçari në gjendje të rëndë

Pamjet nga vendngjarja tregojnë përmasat e rënda të aksidentit tragjik të regjistruar rreth orës 02:22 në një rrugë dytësore në Manzë të Durrësit, ku tre persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën.

Në pamje shihet automjeti tip BMW i shkatërruar thuajse tërësisht pas përplasjes. Sipas të dhënave paraprake, drejtuesi i mjetit dyshohet se ka humbur kontrollin, duke dalë nga rruga dhe përfunduar në kanal, përpara se të përplasej me një strukturë betoni.

Përplasja rezultoi fatale për drejtuesin e automjetit, K. V., 25 vjeç, si dhe dy pasagjerët S. B., 26 vjeçe dhe A. M., 15 vjeç.

Dy personat e tjerë që ndodheshin në automjet mbetën të plagosur dhe u transportuan për ndihmë mjekësore drejt Tiranës. Njëri prej tyre, një 16-vjeçar, raportohet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në vendngjarje mbërritën shërbimet e emergjencës dhe zjarrfikësit, të cilët ndërhynë për nxjerrjen e personave nga automjeti, ndërsa më pas automjeti u nxor nga kanali.

Grupi hetimor vijon veprimet për të dokumentuar rrethanat dhe për të përcaktuar shkaqet e plota të aksidentit.