Policia ka dhënë informacion shtesë në lidhje me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në Ksamil, ku humbi jetën një shtetas i huaj.
Sipas policisë, bazuar në të dhënat paraprake, viktima u identifikua fillimisht si shtetas francez, me inicialet M. M.. Në vijim të veprimeve hetimore dhe pas gjetjes së dokumentit të identifikimit, u konfirmua se bëhet fjalë për një shtetas portugez, me inicialet L. V., i datëlindjes 27.09.2005.
“Ndërkohë, hetimet janë përqendruar edhe në verifikimin e përfshirjes së dy shtetasve turq në automjetin e të cilëve u kap autori i dyshuar, ndërsa po e transportonin atë në drejtim të Tiranës”, njofton Policia.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes.
“Në përfundim të veprimeve të para hetimore, do të ketë njoftim të plotë në lidhje me këtë ngjarje”, thuhet në njoftimin e Policisë.










