33 vatra zjarri në 24 orë, 8 vijojnë aktive në të gjithë vendin

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 33 vatra zjarri në vend, ndërsa 8 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe 5 të tjera janë nën monitorim.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për shuarjen dhe izolimin e zjarreve janë angazhuar 535 forca operacionale dhe 51 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 100 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”. Aktualisht në terren vijojnë të operojnë 120 efektivë ushtarakë, 2 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

Një nga vatrat kryesore është Mali i Dajtit, ku po ndërhyjnë forca zjarrfikëse, të ADZM-së dhe të Forcave të Armatosura, të mbështetura nga dy helikopterë. Autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara, ndërsa vatrat në Priskë dhe Vakumone janë nën kontroll dhe monitorim.

Gurë-Lurë të Dibrës, operacioni vijon me mbi 200 forca nga strukturat bashkiake, policia, MZSH, ADZM, Forcat e Armatosura dhe vullnetarë, me mbështetjen e dy avionëve “Air Tractor”. Hapja e korridoreve në terren ka ndihmuar në frenimin e përhapjes së flakëve dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.

Qafë Helmës dhe Bruç, puna vijon në terren të vështirë. Zjarri në Qafë Helmës është shuar nga krahu i Bulqizës, ndërsa vatra mbetet aktive vetëm në drejtim të Selishtës.

Ndërhyrje po vijon edhe në Lufaj të Mirditës, me mbështetjen e një helikopteri të Forcës Ajrore, ndërsa në Fushë-Lajë të Pukës zjarri nuk paraqet intensitet të lartë dhe nuk rrezikon zonat e banuara. Në Rrjoll, situata po monitorohet edhe me dronë.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës, ndërsa strukturat qendrore dhe vendore po koordinojnë kapacitetet tokësore dhe ajrore për ndërhyrje në vatrat më problematike.