Zbardhet dëshmia e Poli Boriçit pas at*ntatit te deshtuar në Elbasan

“E bëra për t’u hakmarrë për vëllain tim, të cilin e ka plagosur 15 vite më parë”. Kjo mësohet të jetë deklarata që Poli Boriçi, 52-vjeçari i arrestuar për atentatin e dështuar në Elbasan, ka dhënë përpara hetuesve.

Sipas dëshmisë së tij, sulmi ndaj 50-vjeçarit Ermir Kërtezi lidhet me një konflikt të hershëm mes dy familjeve. Boriçi ka pretenduar se Kërtezi kishte plagosur vëllain e tij rreth 15 vite më parë dhe se pasojat e asaj ngjarjeje kishin qenë të rënda, deri në paralizimin e tij.

Ky version është bërë pjesë e hetimeve, ndërsa prokuroria po verifikon rrethanat e konfliktit të hershëm dhe nëse ai ka qenë motivi që e ka shtyrë 52-vjeçarin drejt sulmit.

Nga ana tjetër, Ermir Kërtezi ka dhënë një tjetër version. 50-vjeçari ka deklaruar se marrëdhëniet mes tyre ishin normalizuar prej vitesh dhe se dy familjet banonin pranë njëra-tjetrës, pa pasur konflikte gjatë rreth 15 viteve të fundit.

Hetuesit po vijojnë punën për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes, motivin e atentatit dhe mënyrën se si është organizuar tentativa e sulmit.

Boriçi u arrestua pas ndërhyrjes së Policisë, ndërsa ngjarja tronditi Elbasanin. 50-vjeçari Kërtezi u vu në shënjestër, por fatmirësisht atentati nuk përfundoi me viktima.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive penale.