Një shpërthim me lëndë të dyshuar plasëse është regjistruar gjatë natës në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, duke shkaktuar dëme materiale dhe panik te banorët e zonës.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, lënda e dyshuar plasëse ishte vendosur në derën e banesës së shtetasit Ylli Zalla. Nga shpërthimi janë dëmtuar pjesë të banesës, ndërsa automjeti i parkuar pranë saj, në pronësi të të njëjtit shtetas, ka marrë flakë dhe është djegur plotësisht.
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili po punon për mbledhjen e provave dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje.










